Hapësira detare mes Shqipërisë dhe Italisë, nga mediat italiane konsiderohet prej kohësh si ?autostrada detare e drogës?. Mbrëmjen e së premtes, një gomone që po transportonte rreth 2.6 ton drogë u kap në det në ujëra ndërkombëtare, gjatë një Operacioni të përbashkët antidrogë te policive të Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi, me mbështetjen ajrore të Frontex.
Sipas njoftimit të policisë shqiptare, gomonia e fuqisë së lartë me tre motorë u bllokua pas një ndjekjeje të gjatë në det për gati 5 orë. Dy skafistët, që ishin në bordin e mjetit lundrues janë vënë në pranga në det të hapur nga Guardia di Finanza e Termolit dhe Barit, të drejtuar nga avioni i Frontex. Gjatë ndjekjes, ata kanë hedhur në det rreth dy tonë marijuanë, që u rikuperua më pas nga policia italiane.
Sa i përket trafikut të drogës nga Shqipëria, mediat italiane kanë publikuar dhe disa detaje hetimore. Bëhet fjalë për një letër me kontakte dhe listë importi të drogës nga Shqipëria dhe Brindizi. Letra është përpiluar nga 3 shtetas italianë që janë arrestuar ditë më parë. Mësohet nga ?Brinidizreport? se ata janë në konkurrencë për trafikun e drogës me një bandë shqiptare që drejtohet nga Besmir Hameti, i cili gjendet në burg që prej 11 janarit. Në atë kohë ai u arrestua në bordin e një gomone me 1.9 ton marijuanë. TV KLAN