Edhe pse nuk kanë dhënë ende dorëheqjet, ministrat teknikë të Partisë Demokratike kanë filluar të dorëzojnë kompetencat e tyre.
Ministrja e Financave, Helga Vukaj ka firmosur 13 urdhra ku i delegon 13 kompetenca të ndryshme zëvendësministrit Erjon Luci, përfaqësues i Partisë Socialiste.
Delegimi i kompetencave nuk ka afat përfundimi, pasi në të gjitha urdhrat thuhet se vlefshmëria e zëvendësimit të ministres nga numri dy i institucionit do të bëhet për një kohë të papërcaktuar, deri në shfuqizimin e këtij urdhri.
Sipas urdhrave të kreut të financave, zëvendësministri Luci autorizohet të jetë titullar i ministrisë për të kryer pagesat e pagave dhe pensioneve, për shpërndarjen e rentës minerare, për rialokimin e fondeve për institucionet, për nënshkimin e marrëveshjeve dy paleshe, kompensimin e pronarëve, si dhe kalimin e fondeve për disa bashki të cilat kanë në përpunim e sipër disa projekte infrastrukturore.