Ekstradimi i "Ballistit", reagojnë autoritetet shqiptare

2017-07-29 2

Pas vendimit të marrë nga gjykata kroate ka patur reagime të shumta në vendin tonë, që nga Federata Shqiptare e Futbollit, tek Ministri i Drejtësisë, ai i Brendshëm e deri tek Kryeministri Edi Rama.

Çështja Morina/ Presidenti Duka dhe Kryeministri Rama marrin kontakt me autoritetet kroate

Në një njoftim në faqen zyrtare FSHF theksoi se vazhdon të ndjekë me shumë intensitet dhe angazhim maksimal procesin për mos ekstradimin e Ismail Morinës drejt Serbisë. Presidenti Armand Duka ka patur një komunikim intensiv me Kryeministrin e vendit Edi Rama për këtë problem. Kreu i Ekzekutivit së bashku me Presidentin e FSHF kanë marrë kontakt të vazhdueshëm edhe me autoritetet kroate për zgjidhjen përfundimtare të procesit. Gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme dhe paradites së sotme, por edhe në vijim janë parë të gjitha mundësitë dhe hapësirat ligjore për të mbrojtur një çështje të tillë.

FSHS kishte reaguar edhe më herët ku shprehej e angazhuar për zgjidhjen e çështjes Morina. Federata i bënte thirrje të hapur autoriteteve përkatëse dhe institucioneve që të ndërhynin brenda kornizës ligjore për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi.

Ndërsa në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë thuhet se Ministri Gazmend Bardhi i ka dërguar një kërkesë shtetit kroat, ku i kërkon mosekstradimin e Morinës. Sipas Bardhit, kërkesa për ekstradim nuk plotëson kriteret për të qenë e tillë dhe se në rast ekstradimi, Morina rrezikon t'i nënshtrohet përndjekjes.

Edhe Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj mësohet se ka marrë menjëherë kontakt me ambasadoren kroate në Tiranë Sanja Bujas-Juraga, për çështjen në fjalë.

Reagimet për ekstradimin Morinës kanë qenë të shumta, ndërsa pasditen e sotme është paralajmëruar edhe një protestë përpara Kryeministrisë. Familjarët e Morinës, i cili ndodhet i ndaluar prej më shumë se një muaji në shtetin kroat, njoftuan se do ta çojnë në apel vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Morina po mbrohet nga bashkëshortja e tij italiane, me profesion avokate./tvklan.al

Free Traffic Exchange