Report TV - Emërimet e paligjshme/Lista e organeve jashtë binarëve të ligjit

2017-07-29 0

Teksa kryeministri Edi Rama, duke iu referuar opinionit të qytetarëve, ka përfshirë reformën në administratë në 10 prioritetet e 100 ditëve të para të qeverisë së re, identifikohen degët e administratës, zyrat e të cilave janë mbushur me emërime të paligjshme.

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil (KMSHC), gjatë vitit 2016, ka kontrolluar për zbatimin e ligjit nr. 152/2013, ?Për nëpunësin civil?, dy ministri linje, dhjetëra institucione varësie, një pjesë të bashkive dhe 43 njësi administrative.

Referuar raportit të KMSHC, në listën e zezë përfshihen drejtoritë e bujqësisë, ujësjellësi, zyrat arsimore, tatimet, bashkitë, njësitë administrative etj., të cilat kanë kryer emërime dhe lëvizje në administratë, në kundërshtim me ligjin.

Në raport, referohen disa raste në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe në Njësisë Bashkiake Nr. 8 Tiranë, të cilat rezultojnë me shkelje nga më të ndryshmet të ligjit të nëpunësit civil. Komisioneri ka konstatuar gjithashtu shkelje në drejtoritë e bujqësisë në rrethe. Sipas raportit, gjatë ristrukturimit, janë transferuar 22 nëpunës të drejtorive të bujqësisë në rrethe, pranë Agjencive të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, institucione të cilat në momentin e ristrukturimit, nuk ishin pjesë e shërbimit civil.