Dënohet me 4 vite burg Shpëtim Gjika

2017-07-27 3

Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika është dënuar 4 vite burg nga Gjykata e këtij qytetit. Por dënimi do t?i konvertohet në shërbim prove për dy vite. Gjithashtu togat e zeza kanë vendosur që t?i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për tre vite.

Gjika akuzohet nga prokuroria për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve, ndërtim i paligjshëm dhe veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës. Biznesmeni Artur Haxhi u dënua me 3 vite burg i cili u konvertua me 3 vite shërbim prove. Ridvan Mersinaj u dënua me 1 vit burg i konvertuar me 2 vite shërbim prove. Për ish-vartësen e Gjikës Doriana Sulaj u vendos rrëzimi i të gjitha akuzave.

Sipas prokurorisë këta persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentacionin për dy pallate 11-katësh të ndërtuar në Vlorë. Në dokumentet e KRRT-së rezulton se pronarët e truallit kishin dhënë miratimin për ngritjen e objektit dhe se punimet e firmës janë kryer konform rregullave, por nga verifikimet u zbulua se ato ishin të falsifikuara.

Për pallatet Gjykata vendosi konfiskimin e tyre. Kjo është hera e tretë që Shpëtim Gjika përballet në Gjykatë me akuzat e prokurorisë. Dy herët e para ai u shpall i pafajshëm për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumentave përsëri me lejet e ndërtimit. TV KLAN