Report TV - Zjarri në Ibë, Veliaj: Përballuam një emergjencë të paprecedentë

2017-07-23 0

Falë angazhimit të shërbimit zjarrfikës, punonjësve të pushtetit vendor, Agjencisë së Parqeve, forcave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme, si dhe kontributit të banorëve dhe vullnetarëve, sot u bë i mundur izolimi i zjarrit masiv që përfshiu pasditen e djeshme pyjet e kodrat e Ibës, në afërsi të Tiranës.

Forcat që morën pjesë në operacion luftuan me flakët gjatë gjithë pasdites së djeshme dhe gjatë natës së sotme, duke vënë nën kontroll zjarrin, ndërsa janë ende në terren për të mbajtur situatën nën vëzhgim deri sa të largohet çdo rrezik tjetër.

Aksionin në terren e ndoqi sot edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjatë paradites u njoh me situatën dhe gjendjen e vatrave të zjarrit, falenderoi të gjithë ata që rrezikuan jetën e tyre për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit në kushte të vështira.