SARANDE - 15-vjeçarja ruse, Kseniya Royk, e cila humbi jetën dje në plazhin e Ksamilit, është goditur nga një skaf dhe vdekjen e saj e kanë shkaktuar mjete prerëse helikë.
Ky është rezultati i ekspertizës së spitalit të Sarandës për shkaqet e vdekjes së turistes. Burime pranë spitalit të Sarandës thanë për Shqiptarja.com se ekspertiza ka saktësuar pikërisht mjetet prerëse tip helikë si shkak për vdekjen tragjike të Kseniya Royk nga Shën Petersburgu.
Policia zbulon skafin, arreston pronarin e mjetit
Policia ka zbuluar dhe sekuestruar skafin që dyshohet se ka goditur të miturën si dhe ka arrestuar pronarin e mjetit lundrues, Ermal Fataj.
Policia bën me dije se nga hetimet e kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë ka rezultuar se mjeti lundrues i përket shtetasit Ermal Fataj, 31 vjeç, banues në Ksamil.
Ai ka tentuar të fshehë skafin por është zbuluar menjëherë nga uniformat blu. Mësohet se Fataj është marrë në pyetje për disa orë në polici dhe ka mohuar akuzat. Por nga ana tjetër në helikën e skafit u gjetën flokë, të cilat po i nënshtrohen analizave të ADN-së për të vërtetuar nëse i përkasin 15-vjeçares nga Shën Petersburgu.
Fataj është një biznesmen nga Ksamli që ka në pronësi disa mjete lundruese që i përdor për të shëtitur turistë në ishujt e Ksamilit
Kseniya Ryok u nxor e pajetë nga plazhi i Ksamilit një ditë më parë, pasi u pikas nga familjarët teksa pulsonte mbi ujë.