Rreth 104 mijë anëtarë demokratë nga 68 degë në rrethe, do t'u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të Partisë Demokratike.
Në garë janë kreu i "vetëngrirë" i PD, Lulzim Basha si dhe deputeti Eduard Selami, i cili nuk u përfshi në listat e deputetëve në zgjedhjet e 25 qershorit.
Janë 73 Komisione Votimi në 68 degë të PD në gjithë vendin.
Qendrat e Votimit janë hapur në orën 08:00 dhe do mbyllen në orën 19:00. I pari që ka votuar ka qenë Eduard Selami në selinë qendrore të PD. Ai tha se gara është e pabarabartë. Pas tij kanë hedhur votën Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Ky i fundit i cilësoi zgjedhjet në përputhje me statutin ndërsa shtoi se Basha është përgjegjësi kryesor për humbjen në 25 qershor.