Këtë të premte Bujar Nishani shkoi në zyrën e tij për herë të fundit si President. Në Oborrin e presidencës kishin filluar përgatitjet për ceremoninë e dorëzimit të detyrës tek Ilir Meta pasditen e së hënës.
Por si do të zhvillohet kjo ceremoni? Protokolli i shtetit paracakton se ceremonia zhvillohet e ndarë në dy momente kryesore, në sallën e Kuvendit dhe në Pallatin e Brigadave. Por pavarësisht kësaj, Bamir Topi kur i la detyrën Bujar Nishanit e zhvendosi ceremoninë në hyrjen e Presidencës, aty ku do të zhvillohet edhe të hënën.
Protokolli parashikon se në orën 18.00, Presidenti i Republikës mbërrin në hyrjen kryesore të Kuvendit dhe po në këtë moment del aty për ta pritur Kryetari i Kuvendit dhe, mbasi përshëndeten, hyjnë nëpërmjet sallës dhe zënë vend në podium. Sipas Protokollit, Ilir Meta, president, duhet të pritet nga Ilir Meta, kryetar Kuvendi. Në këtë rast përplasjesh, do të gjendet një zgjidhje alternative duke shkelur protokollin që një nga tre nënkryetarët e Kuvendit të drejtojë seancën e betimit.