Report TV - Përgjimi/Biseda në komisariat zbuloi trafikantët e 1.3 ton drogë

2017-07-17 0

Gjykata për Krimet e Rënda ka lënë në burg tre të arrestuarit si të dyshuar si posedues të 1.3 ton droge që u sekuestrua në Kavajë në zonën e "Plazhit të Gjeneralit", katër ditë më parë.

Kejvi Hajdari, Joni Sadikaj dhe Roland Hysenbelliu dolën sot përpara gjykatës, ku edhe u njohën me masën e arrestit. Ata mohuan të kenë lidhje me sasinë e drogës së sekuestruar por Prokuroria ka pasur prova të mjaftueshme për t'i kërkuar trupit gjykues lënien e tyre në qeli.

Tre të rinjtë kanë deklaruar përpara gjykatës se në Kavajë ndodheshin për drekë, ndërsa në kthim kanë humbur rrugën dhe për këtë shkak kanë kërkuar ndihmë nga një patrullë policie.

Por detaji që tradhton të dyshuarit, është një përgjim në ambientet e policisë së Kavajës, pasi ata ishin shoqëruar.

Joni Sadikaj ka porositur dy shokët e tij Kejvi Hajdaraj dhe Roland Hysenbelliu që të mohojnë akuzat dhe të mos flasin përpara policisë, kjo për të shmangur dëshmitë kontradiktore.