Report TV - Selami: Basha mendon më shumë për karrigen se për demokratët

2017-07-16 0

Në vijim të turit elektoral me demokratët e Elbasanit, Librazhdit, Belshit, Përrenjasit dhe Gramshit, kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami kërkoi që listat e votuesve të jenë të hapura për të gjithë në mënyrë që zgjedhjet e 22 korrikut të jenë transparente.

"Hajde ta bëjmë sa më të mirë garën, që listat tona duhet të jenë transparente. Listat e votuesve të PD duhet të bëhen publike. Nuk janë bërë. Ne duhet t'i lëmë qytetarët, votuesit tanë dhe ata që s'janë anëtarë partie ta shikojnë se çfarë po ndodh këtu. Nuk jemi ne parti ilegale. Demokratët janë krenarë që janë pjesë e PD" - u shpreh Selami i cili gjithashtu i kërkoi kandidatit tjetër për kryetar, Lulzim Bashës, që të pranonte debatin e hapur për mediat dhe qytetarët ashtu siç kishte premtuar në fillim të garës.

"Unë e pata fjalën e zotit Basha që këto do të ishin takime të hapura, dhe të ishim të dy përballë jush dhe të shpalosnim platformën tonë dhe ti bënim pyetje njëri-tjetrit edhe me mediat këtu, dhe gjithkush të marrë atë që i takon, ballë për ballë. Z. Basha iu largua debatit. Unë mendoj që kjo nuk është e drejtë dhe i bëj thirrje se akoma ka kohë. Hajde, prej këtej e tutje t'i bëjmë debatet të hapura përpara kamerave, ta shikojmë se ku kemi gabuar. T'ia them në sy se ku e humbi besimin tim", tha Selami.