Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor të Triestes, që nisi pasditen e kësaj të mërkure, vuri në fokus bashkëpunimin ekonomik rajonal. Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe 6 homologët e tyre nga 6 vende të Bashkimit Europian (Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia) dhe nën drejtimin përfaqësueses së lartë, Frederika Mogerini dhe komisioneri Johanes Hahn po diskutojnë për projekte konkrete.
Qëllimi është ndikimi në zhvillimin e shoqërive të këtyre vendeve përmes qeverisjes së mirë dhe ekonomive vibrante, çka do të ndikojë dhe në avancimin më tej të perspektivës së integrimit të Bashkimit Evropian në rajon.
Në këtë takim të radhës, që vjen si pjesë e iniciativës së Kancelares Merkel nisur në Berlin 3 vjet më parë diskutohet për konkretizimin e 2 nismave: Traktati i Transportit, si dhe një përpjekje për krijimin e zonës rajonale ekonomike për të stimuluar tregëtinë e lirë mes tyre.
"Besoj se ky takim i Triestes do të ketë rezultate interesante. Mbi të gjitha sepse mund të prezantojmë një paketë investimesh infrastrukturore sinjifikative falë një kontributi të Komisionit Europian me 194 milionë euro. Do të adoptohet në këtë takim edhe një plan veprimi për realizimin e një zone ekonomike në rajonin e Ballkanit. E dimë që kjo nuk është një sfidë e thjeshtë, por është e jashtëzakonshme që një hapësirë me 20 milion banorë ka mundësi të shumta bashkëpunimi", u shpreh kryeministri italian, Paolo Gentiloni.
Burime nga Kryeministria thanë se në takim Kancelarja Merkel ka përgëzuar Kryeministrin shqiptar Rama për progresin që ka bërë vendi me qeverinë e tij. Edhe Komisioneri Hahn duke folur nga Trieste tha se perspektiva e BE është të trasformojë Ballkanin, me qëllimin kryesor që të pengojë braktisjen e rajonit nga të rinjtë, çka do të ulte edhe tensionet nga e kaluara.
Tv Klan