TIRANË-Edi Rama parlajmëron se stina e verës do të jetë e nxehtë si vetë emri që e karakterizon. Në një takim sot paradite në kryeministri me skuadrën fituese të dalë nga zgjedhjet parlamentare ai u adresoi socialistëve disa mesazhe duke mos lënë jashtë vëmendjes dhe ish-aleatin e tij në qeverisje, Ilir Metën. Edhe pse e nisi fjalinë me falënderim, Rama ashpërsoi tonet duke i kujtuar Metës se socialistët e votuan për President dhe se ai duhet të kthjellohet e të zgjedhë nëse do të bëjë, një kryetar shteti konsensual siç ia kërkon detyra, apo konfliktual, siç u soll ai kohët e fundit.
"Ja pse na besuan pushtetin 70% e shqiptareve"
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama mblodhi ditën e sotme socialistët që fituan garën për deputet në zgjedhjet e Qershorit, duke u përcjellë një mesazh.
?Pas 4 vitesh qeverisje kemi marrë vota më shumë se kurrë. Kanë votuar 70% e shqiptarëve që janë të pranishëm në atdhe. Ta mbajmë mirë vath në vesh se një pushtet i këtyre përmasave që fituam nuk është besim për atë që kemi bërë, por besim për atë që mund të bëjmë. Zgjidhja e një koalicioni jo pa probleme dhe besimi tek socialistët?, tha Rama.