Partia Demokratike mbyll këtë të dielë regjistrimet e kandidatëve që do të garojnë për kreun e ri të kësaj force politike. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është ora 24:00 e mbrëmjes. Të vetmit që u panë deri në mesditë në selinë blu ishin nënkryetari Paloka dhe Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani.
Zyrtarisht deri tani dokumentacionin e kanë dorëzuar katër kandidatë, mes të cilëve Lulzim Basha dhe ish- deputeti Eduart Selami.
Garës i është shtuar edhe Erion Piciri, i cili ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Tiranë, si dhe anëtari i degës së Partisë Demokratike në Fier, Astrit Sinanaj, i cili futet në këtë garë për herë të dytë, pasi iu refuzua katër vite më parë pjesëmarrja, kohë kur Lulzim Basha garonte përballë Sokol Olldashit.
Sakaq, ambicien për të qënë pjesë e garës një ditë më parë e bëri publike edhe ish- deputeti Astrit Patozi, i cili është rreshtuar në krah të 84 firmëtarëve që kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe jo ngrirjen e funksioneve të tij, si garanci për zgjedhje të lira, të ndershme e të pandikuara.
Por Patozi deklaroi se do të bëhet pjesë e garës vetëm nëse Lulzim Basha dhe stafi i tij do të largoheshin nga selia blu deri në përfundim të këtij procesi, duke e cilësuar atë një kusht që vendos në pozita të barabarta këdo nga kandidatët në garë.
Ish- deputeti demokrat kërkoi njëherazi edhe bërjen nul të vendimit të dy nënkryetarëve Paloka e Spaho, të cilët kanë përcaktuar 22 korrikun si datën e mbajtjes së zgjedhjeve për kreun e ri të partisë. Sipas tij kjo kompetencë me statut Ii njihet Kryesisë së partisë, ndaj dhe është ky organ që duhet të hapë garën nga e para.
Këtë qëndrim të Patozit e ka mbrojtur me forcë edhe grupi i firmëtarëve anti- Basha, të cilët përmes një deklarate një ditë më parë i kërkuan Kryesisë të mblidhet në mënyrë urgjente dhe të marrë masat për anulimin e procedurës së nisur nga dy nënkryetarët për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Sipas tyre kryesia duhet të shpallë zgjedhjet në një datë të përshtatshme dhe të pranueshme për të gjithë si dhe pas zgjedhjes se kryetarit të ri duhet të fillojë menjëherë procesi për organizimin e Kongresit të jashtëzakonshëm të partisë, ku të paraqitet platforma politike për rimëkëmbjen e PD-së dhe ringjalljen e opozitarizmit në Shqipëri.
Pas mbylljes së regjistrimeve, demokratët pritet të mbledhin edhe Kryesinë e partisë, që pritet të përzgjedhë 7 anëtarët e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të operacioneve Elektorale. Mbledhje kjo që me shumë gjasë pritet të shoqërohet me debate nga ata që njihen si kundërshtarë të shpallur tashmë të Lulzim Bashës. TV KLAN