Gjatë këtyre zgjedhjeve, edhe pse dështoi të ishte forcë e parë, LSI arriti të marrë e vetme 3 mandate më shumë se në vitin 2013, pavarësisht vështirësisë së Kodit Zgjedhor për partitë jashtë koalicioneve. Ajo mori 225.837 vota, ose 45.367 më shumë se 4 vite më parë. Rritja e LSI-së në përqindje në rang kombëtar është 3.82 pikë. Por pavarësisht rritjes, në dy qarqe LSI ka pasur ulje të ndjeshme. Shqiptarja.com sjell krahasimin e plotë, duke i renditur qarqet nga më të dobëtat në ato me performancë më të mirë.
12. Berati është qarku më i dobët, bastioni i LSI-së dhe vendlindja e Ilir Metës. Dhe pse ruajti dy mandatet e saj, ekipi i drejtuar nga Nasip Naço mori -1742 vota, ose ulja në % ishte -0.96 pikë. Në këtë qark, ekipi i PS i kryesuar nga Klosi e Felaj u rrit me 5.5 %, ndërsa PD u ul me -2.06 %.
11. Kukësi as kësaj radhe nuk i siguroi LSI-së një mandat. Kandidatja Selvi Beçaj mori 2699 vota më pak se sa LSI kishte marrë në vitin 2013, ndërsa rënia në përqindje është -6.05. Ekipi i PS-së, i drejtuar nga Mimi Kodheli ka shënuar një rritje të lartë, me plot 17.44%.
10. Në Shkodër, Agron Çela u rikonfirmua deputet me 221 vota më shumë se në vitin 2013, duke shënuar një rritje të vogël me 0.6%. PS është rritur me 2.4%, ndërsa PD ka rënë me -2.92%.