Report TV - Terror në Vlorë, 40-vjeçari vritet në banesë, hidhet në erë makina

2017-07-10 0

VLORË- Terror në qytetin e Vlorës mbrëmjen e kësaj të marte, një person vritet në banesën e tij, ndërsa më pas u hodh në erë një automjet, pranë vendit të krimit.

Fation Sinani, 40-vjeç, është ekzekutuar me pistoletë tip "Beretta" në banesën e tij, në rrugën "Ali Demi". Krimi ka ndodhur rreth orës 22:10 kur dy persona të armatosur dhe me maska, kanë trokitur në apartamentin e 40-vjeçarit. Sapo ky i fundit ka hapur derën, ata kanë qëlluar katër herë në drejtim të tij.

Sinani ka humbur jetën në vend, ndërsa autorët janë larguar me nxitim me një automjet tip "Benz" me targa gjermane, të cilin e kanë braktisur rreth 500 m larg vendit të ngjarjes.

Menjëherë pas vrasjes, rreth 150 m larg vendit të krimit, është hedhur në erë një automjet tip "Ford Focus" duke shkaktuar panik te banorët përreth. Në ato momente, zona ka qenë e rrethuar nga policia, çka ka bërë që blutë të ndahen në dy grupe. Nuk dihet ende nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra- tjetrën.