Report TV - Inaugurohet Bulevardi i Ri Rama: Merita i takon "Lali Erit"

2017-07-10 2

TIRANE - Pas sheshit "Skënderbej", sot u ndezën dritat e segmentit të parë të Bulevardit të Ri të Tiranës.

Në ceremoninë e përurimit që u pasua edhe nga një koncert festiv për mijëra qytetarë, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësuan projektin e bulevardit si një nga projektet më transformuese për kryeqytetin.

Kryeministri Rama theksoi rëndësinë që ka vota për të sjellë ndryshimin.

?Për të gjithë ata që mendojnë se nuk ia vlen të votosh, sepse të gjithë në fund fare janë njësoj, në qoftë se të gjithë do të ishin njësoj dhe në qoftë se vota nuk do të kishte asnjë vlerë, ne nuk do të ishim këtu dhe në vendin tonë do ishin ferrat, plehrat dhe gjithë kafshët dhe insektet e gjora në një gropë të zezë, siç ishte kjo zonë deri kur Tirana vendosi të votojë Erionin dhe deri kur njerëzit, ata që bënë detyrën e tyre duke dhënë gjykimin e tyre, ndërruan drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Patjetër që meritat për këtë tjetër vepër fantastike i takojnë Lali Erit dhe ekipit të tij, por Lali Erin si Erion e lindi nëna, ndërsa si kryetar e polli vota. Kështu që, të gjithë ata që thonë se s?ia vlen të shkosh të votosh, se ky muhabet është kot, të gjithë janë njësoj, bëjnë mirë që të hapin sytë dhe të shikojnë se e vërteta është ndryshe?, tha Rama.