Pas akuzave që LSI-ja ka bërë ditët e fundit ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, si përgjegjës për dhunën në fushatën zgjedhore, kryetari i Reformës në Drejtësi dhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i ka dalë në mbrojtje atij, duke treguar me gisht Prokurorinë e Shtetit.
?Policia në vlerësimin tim nuk të bën forcë e parë dhe as nuk të pengon të bëhesh forcë e parë, të tillë të bën vota e qytetarëve?, tha Xhafaj duke folur për mediat nga Kryesia e Kuvendit.
?Edhe polica ka rol në parandalim, por rol të rëndësishëm ka dhe duhet të kenë prokurorët dhe në këtë rast unë i bëj thirrje Prokurorisë që të veprojë shpejt, për të zbardhur ngjarje të tilla që cënojnë rëndë atmosferën e mirë të krijuar në këtë proces zgjedhor?.
Ai tha se ?prokurorët nuk kanë përse të mbyllen në kutitë e tyre për të mbyllur shpejt e shpejt dosjet e fundit sa të hyjë në fuqi Kodi i ri Penal, por duhet të merren me prioritet me këto vepra penale, për t'i zbardhur ato dhe për të çuar para drejtësisë përgjegjësit dhe të qetësohet klima e rënduar e krijuar.?
Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar ashpër Policinë e Shtetit dhe drejtorin Haki Çako për aktet e fundit të dhunës gjatë fushatës zgjedhore në vend. Nga Lezha, ku vizitoi një aktivist të LSI-së që ishte dhunuar, Presidenti i zgjedhur Ilir Meta tha të shtunën se nëse policia nuk i kap dhunuesit e tij, ai do të ishte i detyruar të armatoste popullin.
Ndërsa pasi dëgjoi rrëfimin e Blerim Çelës, koordinator i LSI-së në Fushë Krujë, i cili u dhunua me sende të forta dhe u kërcënua nga persona të paidentifikuar, ish-kreu i LSI-së Ilir Meta tha se përgjegjëse për këtë është policia dhe vetë Drejtori i Përgjithshëm, Haki Çako.
Nënkryetari i LSI-së Luan Rama kërkoi zyrtarisht shkarkimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit, Çako dhe disa drejtorëve në qarqe, pas rasteve të përsëritura të dhunës sipas tij ndaj disa përfaqësuesve të LSI-së.
Por, Xhafaj e vlerësoi rolin e Çakos në këtë proces. ?Kam ndjekur nëpërmjet medias një mesazh që ai u ka përcjellë drejtorëve të policisë në rrethe, ishte një mesazh shumë profesional. Drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet të dënojnë ashpër çdo lloj përfshirjeje të çdo lloj përfshirjeje të policisë në proceset elektorale.?
Xhafaj po ashtu vlerësoi rolin e Çakos në luftën kundër kanabisit në vend me objektivin e qartë për ta hequr Shqipërinë nga harta e prodhimit të drogës brenda këtij viti, përkundër deklaratave të LSI-së, parti e cila e ka etiketuar atë si ?Haki Droga?, duke e mbajtur përgjegjës për kanalizimin e vendit./tvklan.al