Hetimet për vrasjen e Cukut, policia në kërkim të bashkëpunëtorit që ndihmoi Shallarin

2017-07-09 0

Një person i dytë, bashkëpunëtor i Mikel Shallarit, po kërkohet për vrasjen e ish - kreut të Policisë së Vlorës, Artan Cuku.

Lajmi kofirmohet për Televizionit Klan nga burime të grupit të hetimit, të cilët thanë se i kërkuari ka ndihmuar Mikel Shallarin të përgatiste atentatin dhe të largohej nga vendngjarja.

Emri i tij nuk bëhet i ditur emri i tij, për shkak të sekretit hetimor. Por burime të policisë i thanë Televizionit Klan se specialistët po përpiqen të ndajnë faktin, nëse ndihmësi i Shallarit është një nga dy personat që policia ka shpallur në kërkim, si porositës të vrasjes.

Këtë dyshim hetuesit po përpiqen ta faktojnë përmes pamjeve filmike dhe marrjes së dëshmive të personave okularë në vendin e ngjarjes.

Pas arrestimit të Mikel Shallarit, policia ka shpallur në kërkim dy persona që besohet se janë urdhëruesit e vrasjes së Cukut. Ata nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe besohet se janë larguar jashtë vendit.

Pista, sipas burimeve të policisë, tashmë mbetet ajo që lidhet me detyrën e Cukut në Vlorë, Fier e Berat. Tashmë duket se pista e gjakmarrjes nga familja Daka ka rënë, edhe pse zyrtarisht hetimet vijojnë.

Tv Klan