Hotel “Dajti”, nis rikonstruksioni, BSH fsheh të dhënat - News, Lajme - Vizion Plus

2017-07-09 6

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pas shumë vitesh në harresë, Banka e Shqipërisë ka njoftuar nisjen e rikonstruksionit të godinës simbol në kryeqytet ish-hotel ?Dajtin?. Por ky vendim rrezikon të anulohet, pasi Shoqata e Ndërtuesve ka përgatitur një padi në prokurori, lidhur me procedurën që ky institucion ka ndjekur për tenderimin e këtij objekti. Burime nga shoqata thonë se do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore, për të zbardhur një proces abuziv. Finalizimi i punimeve për hotel ?Dajtin? po ndjek të njëjtën rrugë sikundër u shit 7 vjet më parë, në mungesë të plotë transparence dhe me tender të dyshimtë. Vizion Plus ju drejtua Bankës së Shqipërisë për të mësuar më shumë rreth procedurës së ndjekur, për rikonstruksionin e një prej godinave kryesore në qendër të qytetit. Por ky insitucion refuzoi të japë shpjegime, duke mos pranuar të bëjë transparencë. Banka nuk jep asnjë detaj lidhur me tenderin e kryer, pjesëmarrjen e kompanive në garë, e aq më pak nuk thuhet asnjë fjalë kush është firma fituese e këtyre punimeve, me të cilën thonë se janë në fazën e lidhjes së kontratës. Shpjegimi i vetëm që jep Banka e Shqipërisë është forma që do të ketë kjo godinë qe do të ruajë arkitekturën e vjetër, punimet do të zgjasin tre vjet, ndërsa njofton se ka ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme të tenderit. Por hileja që ka përdorur Banka Qendrore në tenderimin e kësaj godine, në fakt lidhet me njoftimin për shpalljen e tenderit. Një sërë kompani ndërtimi, thonë se nuk kanë dijeni për këtë procedurë. Shoqata e Ndërtueseve thotë se për një godinë të tillë, duhet të kishte edhe një konsultim publik, i cili nuk është kryer. Edhe pse behët fjalë për një tender publik, banka e ka zhvilluar atë larg syrit dhe vëmendjes së grupeve të interesit, duke ngritur dyshime të forta për një fitues të paracaktuar. Duket se autoriteti bankar jo pa qëllim ka shpallur rikonstruksionin e hotelit pikërisht tani, në kulmin e fushatës elektorale, kur e gjithë vëmendja është tek politika. Kjo procedurë e ndjekur tregon se as administrata e re e Bankës së Shqipërisë nuk shmanget dot nga praktikat e vjetra të ndjekura prej vitesh nga ish-guvernatori Fullani, i cili kryente në fshehtësi të plotë çdo tenderim.