Report TV - Analiza e votave, kush janë 65 deputetët e sigurt të PS-së

2017-07-09 0

Nëse Partia Socialiste do të ruajë rezultatin e vitit 2013, atëherë 65 kandidatë nga lista shumëemërore e PS-së për zgjedhjet e 25 qershorit, e kanë të sigurt mandatin e deputetit. Shqiptarja.com ka bërë një analizë të votave të marra në vitin 2013, mandateve dhe numrit të nevojshëm të votave për një deputet sipas qarkut.

Rezultati i PS-së për zgjedhjet e vitit 2013 numëron gjithsej 713 407 vota, ose 41,36% të totalit të votave të vlefshme, e përkthyer në 65 mandate. Sigurimi i mandateve në vitin 2013 për llogari të PS-së është ndihmuar edhe nga votat e aleatëve të vegjël pjesë e koalicionit, ku mandatet ndaheshin fillimisht mes koalicioneve në tërësi, e më pas bëhej një shpërndarje brenda partive pjesëmarrëse në koalicion.

Në këto zgjedhje, si rrallë herë nuk do të kemi koalicione, çka i forcon më shumë partitë e mëdha dhe rrezikon që partitë e vogla, të mos grumbullojnë në një qark të caktuar vota sa për të arritur një mandat, dhe rrjedhimisht, votuesit e tyre nuk përfaqësohen në parlament, pasi votat digjen.