TIRANE-Demokratët këmbëngulin në largimin nga gara për Komisionet e Vettingut të Ina Ramës, Sokol Çomos dhe Albana Shtyllës.
Këto sipas tyre janë të kandidatëve të lidhur me PS-në. Madje të përfshirë në garën për Vettingun me urdhër të kryetarit të kësaj force.
Debati u zhvillua në komisionin e posaçëm me 6 anëtarë që do të përzgjedhë trupën e Kolegjit të Apelimit. Për këtë Kolegj, finalistë janë 34 juristë ndër të cilët dhe ish kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Becaj, ish kryeprokurorja Ina Rama, ish anëtarja e KQZ, Albana Shtylla dhe ish zv ministri Sokol Çomo.
Kandidatë të cilëve iu desh të përballeshin me akuzat e ligjvënësve si të politizuar.
Teksa po shqyrtohen kandidaturat për në këtë Kolegj, deputeti i Partisë Demokratike, Falmur Noka akuzon Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama se me kandidatët e paraqitur kërkon që të kapë sistemin e drejtësisë.