Nga Jozefina Topalli/ "I rremë", fjala që përshkruan më mirë Lulzim Bashën

2017-07-09 2

Nga Jozefina Topalli - Prej 26 Majit, edhe zyrtarisht, kjo nuk është më Partia Demokratike e Dhjetorit 1990. Jo pse mungoj unë në listën e deputetëve, por sepse shpirti i Partisë Demokratike është zëvendësuar me llogarinë e ftohtë të Republikës së Re.

E di se ata pak demokratë që kanë mbetur dhe që numërohen me gishtat e njerë dorën janë edhe më zemërthyer se unë, sepse do të bëjnë fushatë për diçka që nuk e besojnë, që nuk është e tyrja-për Republikën e Re të Lulzim Bashës.

Nuk e dija sesi do ta pagëzonte krijesën e tij Lulzim Basha, por e kam ditur që në fillim, disa herë edhe e kam shprehur me rezerva, se Lulzim Basha po zhbënte Partinë Demokratike, se ai kurrë nuk ka luftuar për asnjë fitore të Partisë Demokratike dhe se e vetmja axhendë e tij ka qenë ajo personale.
Po e nis nga fundi i ngjarjeve.

E di që shumë demokratë janë mërzitur me mua, kur i kërkova Lulzim Bashës të mos bojkotoje zgjedhjet, kur nuk erdha më në çadër, ashtu siç do të kisha dashur. Por unë e dija që Lulzim Basha po e përdorte shpirtin e demokratëve, revoltën e tyre kundër Edi Ramës, për të mbyllur pazaret e veta politike me Edi Ramën. Dhe ashtu u bë! Kauza për zgjedhjet e lira e të ndershme u verifikua si një kauzë e rreme e Lulzim Bashës.

"I rremë" është fjala që e përshkruan më mirë Kryetarin e Republikës së Re. Dhe ky është arsyeja pse gjithmonë i kam përsëritur privatisht dhe publikisht se kam diferenca të mëdha me të.

I rremë për premtimin e madh dhe të pambajtur për ringritjen e Partisë Demokratike, që u shndërrua në një grusht njerëzish servilë të Kryetarit apo klientë të familjes së tij. Nga dita që u vu në krye të PD-së, Lulzim Basha nuk i konsideroi kurrë anëtarët e thjeshtë si aksionerë të PD, por e përdori logon e opozitës si ndërmarrje private biznesi me aksionerë familjarë.

I rremë për premtimin e madh dhe të pambajtur se do të bashkonte dhe ribashkonte PD për të forcuar shtyllën kurrizore të PD, që përfundoi në një karrige me rrota, të cilën e shtyn herë me Ramën, herë me Metën, por asnjëherë me demokratët.

I rremë për premtimin e madh dhe të pambajtur se PD do të jetë gardiane e pakompromistë e interesit publik. Me perjashtim të dy viteve të fundit, Lulzim Basha, ky i Republikës së Re, ka qëndruar 11 vjet në majat e pushtetit, 4 prej të cilave në krye të Bashkisë së Tiranës, ku nuk la asnjë gjurmë në favor të interesit publik. Përkundrazi! Modelin klientelist familjar e bëre model të drejtimit dhe vendimarrjes në Partinë Demokratike.

I rremë edhe për premtimin më të madh të jetës 2 - vjeçare në opozitë, atë të Republikës së Re pa oligarkë, të cilët Lulzim Basha ditën i mallkon, ndërsa natën darkon familjarisht në vilat e tyre luksoze.

Më e rënda është se për Lulzim Bashën nuk është problem as fakti se PD rrezikon më të keqen! Atij i mjafton që të jetë në krye dhe të mbajë logon e vulën e PD.