Pas marrëveshjes Rama-Basha në 17 Maj për zgjedhjet parlamentare dhe vendimit që nuk lejuan koalicionet partiake në zgjedhjet e 25 qershorit, LSI ka dalë me një vendim surprizë duke nxjerrë kandidat më vete për zgjedhjet për bashkinë e Kavajës.
LSI më parë kishte deklaruar mospjesëmarrjen për garën në Kavajë, por duket se marrëveshja e fundit ka sjellë edhe kërcitjen e papritur.
Lajmi konfirmohet nga vetë kandidati në një intervistë për Report Tv, ndërsa surpriza për zgjedhjet në Kavajë është shenjë e krisjes së koalicionit mes dy forcave kryesore në qeverisje.
Maksim Kona do të regjistrohet në KQZ dhe do ta garojë në siglën e LSI. Kjo është kandidatura e dytë zyrtare, pasi PS ka vendosur si kandidat për kryetar bashkie në Kavajë, Klodian Shehin.
Në pritje të kandidatit të PD, tashmë në Kavajë do të jenë tre emrat që do të luftojnë për të marrë drejtimin e bashkisë.