Report TV - Zgjedhjet, 4 aleatë në listat fituese të PD, rrezikon Kreshnik Spahiu

2017-07-07 0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vendosur të përfshijë në listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë, katër kryetarë të partive aleate.

Pjesë e listave fituese të PD-së mësohet se do jenë aleatët Fatmir Mediu kryetar i PR, Vangjel Dule i PBDNJ, Nard Ndoka i PDK dhe Dashamir Shehi kryetar i LZHK.

Mediu pritet të kandidojë në Qarkun e Fierit, Ndoka në Shkodër, Dule në Vlorë dhe Shehi në Tiranë.

Ndërkohë, kreu i PAA Agron Duka, një tjetër aleat i Bashës, mësohet se nuk do jetë pjesë e kësaj liste. Ai ka deklaruar edhe më herët se do kandidojë më vete në zgjedhjet e 25 qershorit, duke u shprehur i bindur se forca e tij politike do ta sigurojë një mandat deputeti.

Jashtë listave fituese të Bashës rrezikojnë të mbeten dy aleatët e tij më të rinj, Kreshnik Spahiu i Aleancës Kuq e Zi si dhe Eduard Ndocaj i ardhur nga radhët e PS-së. Burime pranë PD-së pohojnë se ende nuk ka marrëveshje mes Bashës dhe Spahiut.