Nëntë muaj pas miratimit, partitë politike në Parlamentin Shqiptar, në bazë të marrëveshjes Rama-Basha dhe falë investimit historik të Perëndimit, i kanë hapur rrugë dje zbatimit të ligjit të Vetingut, i cili parashikon skanimin e trefishtë të njerëzve të drejtësisë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësisë profesionale.
Ngritja e komisioneve parlamentare ad hoc, për zgjedhjen e anëtarëve të organeve të Vetingut, ka një rëndësi të shumëfishtë.
Së pari, zbatimi i ligjit të Vetingut është përcaktues për finalizimin e drejtësisë së re në tërësi, sidomos për ngritjen dhe veprimin e institucioneve të reja anti-korrupsion si: Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, misioni kryesor i të cilave është hetimi dhe ndëshkimi i korrupsionit elitar në Shqipëri.
Së dyti, zbatimi i Vetingut është një nga kushte kryesore për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit, konkretisht për marrjen e statusit të vendit kandidat.