Sesioni i jashtëzakonshëm për ndryshimet e ministrave teknikë, votiminin e anëtarëve të opozitës në Komisionet e Vetting -ut dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor e atë Penal, bazuar në marrëveshjen e 18 Majit u shoqërua me debate të forta në parlament.
Shkak për këtë u bënë akuzat e të kreut të Libras, Blen Blushi, se marrëveshja mes dy partive të mëdha, përveçse një pakt për bashkëqeverisje mes PS-PD e LSI, është një përpjekje që deputetë e ministra t?i fshihen Reformës në Drejtësi.
Kryeministri Rama reagoi ashpër, duke thënë se çdo etiketim i marrëveshjes si pazar nxitet vetëm nga premisa personale dhe ripërsëriti se dakordësia, jo vetëm i jep garanci opozitës për zgjedhjet, por i hap rrugë zbatimit të Vetting -ut, si kusht për hapjen e negociatave.
Përplasja mes tyre vijoi me replika e kundër replika. Në debat u përfshi edhe ish-Kryeministri Berisha, përfshirja e të cilit relaksoi jo pak situatën.
Më herët, parlamenti votoi me shumicë emërimin e ministrave teknike, ndërsa në mbrëmje miratoi plotësimin e komisioneve të Vetting -ut, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe atë Penal, që lidhen me krimet elektorale.
Një tjetër ndryshim ishte ai i Ligjit të Financimit të Partive, ku radiot dhe televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore, detyrohen që të vendosin në dispozicion falas për subjektet zgjedhore për reklama politike, respektivisht vetëm 90 minuta për partinë më të madhe të shumicës parlamentare dhe partinë më të madhe të pakicës parlamentare, 45 minuta për partitë e tjera parlamentare dhe 10 minuta për partitë jo parlamentare.
Në përfundim të seancës, Kryeministri u shfaq optimist se kalimi i marrëveshjes së 18 Majit në parlament do t?i japë një shtysë vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Tv Klan