Marrëveshja e pazakontë politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha, zyrtarizuar ditën e enjte, përpos të tjera, rrit rolin e faktorit ndërkombëtar në kontrollin e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Referuar përmbajtjes së paktit politik, për herë të parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, nuk do të kenë thjeshtë rol vëzhgues, por do të kontrollojnë nyje të rëndësishme të procesit zgjedhor.
Konkretisht, sipas marrëveshjes, faktori ndërkombëtar do të mbështesë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të ekzaminuar kandidatët për deputetë, në përputhje me ligjin e dekirminalizimit. Për një kontroll sa më efikas të të shkuarës së kandidatëve, KQZ do të ketë një personel shtesë, ndërsa do të asistohet nga ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.