Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha janë ulur në tryezën e iniciuar nga PR dhe PAA në Kryesinë e Kuvendit, si mundësia e fundit për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike.
Edi Rama është kthyer në kohë nga takimi elektoral në Elbasan dhe ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, teksa Lulzim Basha ishte duke komunikuar me gazetarët.
Ftesës së Partisë Republikane dhe asaj Agrare Ambientaliste për takim i janë përgjigjur Edi Rama, Lulzim Basha, Petrit Vasili, Idrizi, Ben Blushi, Dashamir Shehu, Nard Ndoka dhe Dule.
Kjo është tryeza e dytë që thirret për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik, pasi në muajin Prill, ishte kryetari i parlamentit Ilir Meta që thirri një mbledhje të partive parlamentare.
Lëvizja e Metës erdhi pas dështimit të përpjekjeve të dy eurodeputetëve McAllister e Fleckenstein për të ndërmjetësuar një zgjidhje të krizës, pasi atëherë ndryshe nga sot, opozita nuk pranoi propozimet e kompromisit duke këmbëngulur në nevojën e një qeverie teknike.