Edhe pse të dy kandidatët për zgjedhjet e pjesshme lokale në Kavajë kanë deklaruar tërheqjen, Komisoni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk është mbledhur për të marrë një vendim për anulimin e këtyre zgjedhjeve.
Siç njofton zyra e shtypit e KQZ, të dielën e 7 Majit do të zhvillohet mbledhja e radhës së këtij institucioni, por në rendin e ditës, në asnjë nga pikat nuk është parashikuar vendimmarrja për anulimin e zgjedhjeve në Kavajë.
Zytarisht, të dy kandidatët, si ai i propozuar nga PS, Klodian Shehi, ashtu dhe kandidati i pavarur Astrit Haka i kanë dorëzuar dorëheqjet KZAZ së Kavajës që është dhe institucioni që në bazë të ligjit elektoral, duhet t'i shqyrtojë dhe të marrë një vendim për t'i pranuar apo refuzuar.
Televizioni Klan mëson se Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve i Kavajës ka pranuar dorëheqjen dhe ia ka dorëzuar kërkesën për anulimin e zgjedhjeve në mungesë të kandidatëve për këtë garë, pranë zyres juridike të KQZ, kërkesë që nuk do të shyrtohet në mbledhjen e të dielës.
Kandidati i PS në këto zgjedhje, Klodian Shehi e komunikoi tërheqjen nga kjo garë gjatë një feste birre me të rinjtë e këtij qyteti, festë e cila ishte planifikuar të ishte dhe takimi përmbyllës i fushatës, që do t'i linte vendin heshtjes zgjedhore. Klodian Shehi iu komunikoi të pranishmëve se kishte vendosur të pranonte kërkesën e Kryeministrit, pasi për të interesi kombëtar është mbi gjithçka.
Shehi, i cili mban postin e Nënkryetarit të Bashkisë dhe e drejton atë si kryetar në detyrë, pas largimit të Elvis Roshit shprehet i bindur se do ta fitojë dhe zytarisht këtë detyrë, kur të vendoset data e ardhshme e zgjedhjeve për këtë Bashki.
Tv Klan