Fitore të Republikës së Re e quajti Lulzim Basha tërheqjen e kryeministrit nga zgjedhjet në Kavajë. Në axhendën e tij ishte parashikuar një takim me strukturat lokale në Kavajë, por dalja e kryeministrit e riktheu në çadër nga ku iu përgjigj edhe akuzave se opozita kishte një skenar destabilizimi.
?Edi Rama kishte të drejtë ku, përveç frikës së refuzimit dhe përballjes me qytetarinë kavajase dhe me mbarë shqiptarët ditën e diel, shprehu edhe frikën e destabilizimit. Por Edi Rama e di, unë e di, partnerët tanë e dinë, kavajasit se bandat që po bëheshin gati të lanin hesapet me njëri-tjetrin në Kavajë i përkasin një dhe vetëm një krahu politik, rilindjes së inkriminuar dhe krimit të rilindur.?
Duke iu përgjigjur kërkesës së kreut të qeverisë për dialog deri të dielën Basha tha se mbetet i hapur për dialog, por la të kuptohet se afatet e vendosura nga kryeministri nuk ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhje.
?Ftesa qëndron e hapur për zgjidhje me dialog, por ultimatumet për 18 qershorin e rënë politikisht, moralisht dhe ligjërisht, janë të papranueshme dhe ne i refuzojmë. 18 qershori ka rënë politikisht, moralisht dhe ligjërisht.?
Basha i kërkoi kryeministrit të bëhet pjesë e zgjidhjes, në të kundërt e pret një tjetër alternativë
?Ose përballuni me bashkimin dhe marshimin më të madh të qytetarëve javën e ardhshme në Bulevardin ?Dëshmorët e Kombit? dhe pas kësaj në çdo shesh e në çdo rrugë të çdo qyteti e të çdo fshati, ku vullneti i shqiptarëve për demokraci, nuk sprapset kurrë më.?
Tv Klan