Në daljen e parë për mediat si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, komentoi situatën politike në vend, duke theksuar se oferta e McAllister dhe Fleckenstein, ishte një variant i pranueshëm.
Ai theksoi se në takimin e djeshëm Basha-Rama, LSI nuk ka qenë e përfaqësuar, duke ua lënë në dorë dy kryetarëve të partive të mëdha arritjen e kompromisit.
"Kjo situatë kërkon maturi dhe largpamësi për të kuptuar efektet për të ardhmen e vendit. Ne kemi inkurajuar dhe kemi qenë në dispozicion të çdo zgjidhje. Në funksion të kësaj zgjidhje ne kemi vënë të gjitha postet tona të përfaqësimit politik.
LSI nuk ka qenë pjesë e këtij negocimi pasi ky negocim ka qenë diskutim bilateral mes PS-së dhe PD-së. Jemi njohur me paketën e ndërkombëtarëve. Në gjykimin tonë ka qenë një varjant realist dhe në gjykimin tonë ishte një varjant që jepte garanci për zgjedhjet.
Sigurisht është një situatë krize politike. Këtë nuk kemi arsye pse ta fshehim. Është një krizë që kërkon maturi dhe largpamësi. Maturi për t?u menduar dhe largpamësi për të kuptuar efektin e veprimeve të sotme për të ardhmen e vendit. Ndaj ne kemi inkurajuar çdo zgjidhje që siguron zgjedhje të lira dhe me standarde.