Policia dhe Prokuroria e Durrësit ende nuk kanë të dyshuar për atentatin e të martës ku në Sukth mbetën të vrarë Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj. Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë nga ku pritet të identifikojë autorët dhe mjetet që janë përdorur në krim.
Në pyetje janë marrë disa persona lidhje të afërta të dy viktimave dhe persona të cilët mund të kenë dijeni për konflikte të cilët mund të kenë patur. Nga këto dëshmi është mësuar se Juxhin Dautaj prej kohësh ruhej me eskortë, me dy mjete shoqëruese.
Tv Klan ka mundur të mësojë se ditën e ngjarjes Dautaj nuk ka lëvizur i mbrojtur. Kjo gjë sipas hetuesve është pikasur nga atentatorët të cilët kanë organizuar vrasjen.
Nga qelizat e telefonave të viktimave është faktuar se ata kanë folur dhe janë takuar me dy vajza fillimisht në një pikë karburanti në autostradën Tiranë-Durrës dhe me pas në një servis.
Këto vajza sipas hetuesve kanë pasur njohje me Juxhin Dautajn të cilit i kanë kërkuar ndihme për servisin e automjetit. Pasi i ka dërguar tek servisi me pronarin e te cilit kishte njohje Dautaj është larguar së bashku me Dalipajn me të njëjtën makinë.
Vetëm pak kilometra më tutje ata u gjendën nën breshërinë e kallashnikovit ku edhe humbën jetën.
Tv Klan