http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
90 kilogram kanabis sativa ishin fshehur në qilarin e një shtëpie në Gjirokastër, por ato u zbuluan nga policia. Agjentët arrestuan mirëmbajtësin e banesës Hajri Dervishi, 59 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i shtëpisë. Gjatë kontrollit policia gjeti veç lëndës narkotike, edhe një arkë me fishekë. Hetimi nisi pas një informacioni anonim se në banesën e personit të shpallur në kërkim kishte lëndë narkotike. Policia bën me dije se ai prej dy muajsh jetonte me familjen në Greqi. Ndërsa në Lushnje, policia ka arrestuar një 28-vjeçar, pasi akuzohet si shpërndarës droge. Klevis Kasa, ra në pranga pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij, ku iu gjetën 29 doza kokaine dhe 217 gram kanabis. Edhe në Shkodër policia ka sekuestruar 37 kilogram hashash, ndërsa ka arrestuar 62-vjeçarin Gjon Marashi. Ai kishte fshehur në shtëpi edhe 9 granata dore e 3 krehëra fishekësh, si dhe qindra fidanë kanabis.