Report TV - 60' bllokim trafikut, Basha: Jemi të vendosur për qeveri teknike

2017-07-05 0

Protestuesit e Partisë Demokratike bllokuan sot për 60 minuta trafikun në 2 pikë në Tiranë dhe 3 pika të tjera në rrethe, nga ora 11:00 deri në 12:00.

Bllokimi solli paralizimin e trafikut në kryeqytet, 8 ambulanca u bllokuan nga protestuesit, ndërsa nuk munguan edhe debatet me familjarët e të sëmurëve që bënin thirrje për hapjen e rrugës, Report Tv sjell pamje ekskluzive.

Bllokimi i rrugëve solli radhë të gjata automjetesh dhe kaos në qarkullim duke sjellë edhe irritimin e qytetarëve.

Rrugët që u bllokuan nga protestuesit e opozitës ishin: Rrethrrotullimi i Plugut (Lushnje) - Automjetet që vinin nga Jugu, rrethrrotullimi i Milotit - Automjetet që vinin nga Veriu, rrethrrotullimi i Bradasheshit (Elbasan) - Automjetet që vinin nga Juglindja dhe Jugu, sheshi "Shqiponja" (Tiranë) Automjetet që vinin nga Veri dhe Jugu dhe mbikalimi te Shkolla Teknologjike - Tiranë.

Në fund të protestës Lulzim Basha u shpreh se opozita është e vendosur për të vazhduar deri në realizimin e kushtit të saj për krijimin e një qeverie teknike, ndërsa shtoi se protesta e sotme ishte një paralajmërimin për Edi Ramën.

Basha ripërsëriti kërkesat për votim elektronik dhe zbatim të Reformës në Drejtësi sipas marrëveshjes.

"Jemi bashkuar për një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, që do të largojë kriminelët nga institucionet, që do të luftojë drogën e do të krijojë kushtet për zgjedhjet e lira e të ndershme dhe zbatimin menjëherë të vetting-ut dhe reformës në drejtësi.

Zoti i bekoftë shqiptarët për këtë sakrificë dhe qëndresë?, tha Basha në fund të protestës, që u mbyll me himnin kombëtar.

Free Traffic Exchange