PERMET-Një masakër e vërtetë është ajo që po u ndodh pyjeve në zonën e Përmetit.
Janë gati 30 ha pyje, që po shkatërrohen përditë nga një firmë e cila po pret pyjet në fshatin Grabovë të Përmetit.
Alarmi është dhënë nga banorët e këtij fshati si dhe nga kryeplaku i cili është i pafuqishëm si autoritet, të ndalojë masakrën që po ndodh në kurorën e gjelbër të Përmetit.
Pyjet po masakrohen në një kohë kur moratoriomi ndalon rreptësisht shfrytëzimin e tyre. Mirëpo mesa duket ky moratorium, nuk vlen për firmën që ka marrë për shfrytëzim pyjet në lartësinë e fshatit Grabovë.
Pamjet janë marrë në pjesën e sipërme të pyllit, aty ku sharrat e firmës ?fantazmë? kanë bërë kërdinë tek drurët e rrallë që nuk gjenden në pjesë të tjera të vendit si mëllaga, mërrethi apo dhe disa lloje të tjera drurësh që janë drejt zhdukjes.
Sipas banorëve të fshatit, pavarësisht kërkesave deri më tani askush nuk ka vepruar. Policia ka marrë sinjalizimin e banorëve për masakrën pyjore por është larguar pasi nuk ka pasur fuqinë për ndalimin e lejes së shfrytëzimit nga firma.