Report TV - Në gjurmë të vrasësit të Cukut Lumë telefonatash në Polici

2017-07-05 2

Me dhjetëra telefonata janë bërë në Polici nga qytetarët, të cilët kanë dhënë informacion për vrasësin e Artan Cukut.

Mes këtyre telefonatave janë edhe disa qytetarë të cilët kanë thënë se kanë informacion për personin që shfaqet në videon e policisë dhe i cili dyshohet se është vrasësi i ish-Komisarit.

Burime nga Policia bëjnë me dije se disa nga informacionet që kanë dhënë qytetarët mund të çojnë në identifikimin e autorit, kjo për faktin se po mbahen në vëzhgim disa persona të cilët ngjajnë me autorin e dyshuar të vrasjes.

Të njëjtat burime theksojnë se grupi hetimor po bie në gjurmë të këtij personi, por ende nuk është bërë arrestimi i tij.

Policia e Shtetit ka vendosur 10 milionë lekë të reja shpërblim për këdo që jep informacion për arrestimin e autorit, ndërkohë që thotë se do të ruajë anonimatin e çdokujt.

Grupi hetimor thotë se në vrasjen e Artan Cukut kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë, për vet faktin se ai e ka studiuar mirë gjithë zonën, ndërkohë që e ka mbajtur kokën ulur që fytyra të mos i kapet nga kamerat e sigurisë.