Sikundërse pritej, Kuvendi konsumoi dje raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pa propozuar asnjë emër. Edhe pse kanë më shumë se 84 vota dhe mund ta zgjidhnin vetëm kreun e ri të shtetit, PS dhe LSI nuk e kanë përdorur shumicën e tyre dhe fuqinë e kartonëve për të zgjedhur numrin një të shtetit.
Ajo që nuk pritej nga seanca e djeshme parlamentare, ishte data e raundit të dytë. Teksa Rama dhe Meta thanë se raundi i konsumua pa asnjë emër me qëllim që të pritej opozita dhe konsensusi me të, praktikisht PS dhe LSI nuk po i japin kohë opozitës.
Edhe pse rregullorja parashikon se raundi i dytë duhet të mbahet brenda 7 ditëve nga raundi i parë, pra deri të mërkurën tjetër, mazhoranca nuk humbi kohë dhe në një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve, vendosi që raundi i dytë të konsumohet sot, në orën 15:00.
Ky nxitim nuk ngjan fare me linjën e dhënies kohë opozitës, teksa pritet që dialogu të nisë javën tjetër kur mbërrijnë në datën 24 negociatorët evropianë. Pra, nuk ka gjasë që paraditja e sotme të prodhojë çudi që opozita të bëhet pjesë e zgjedhjes së presidentit.
Në këto kushte, ajo që lihet për tu dyshuar, është skenari i mundshëm i konsumimit të të pesë raundeve kushtetuese pa asnjë emër, dhe me gjasë, shpërndarjen para kohe të parlamentit. Një gjë e tillë do të dërgonte vendin në zgjedhje të parakohshme, 45 ditë pas shpërndarjes së parlamentit në dështimin e mundshëm të raundit të fundit presidencial.