Rrëzimi Sali Berishës nga pushteti nuk ka ndikuar aspak në nivelin e të ardhurave vjetore të fëmijëve të tij, Argita dhe Shkëlzen Berisha. Fëmijët e ish-kryeministrit, Argita dhe Shkëlzen Berisha, vijojnë të deklarojnë qindra mijëra euro të ardhura në vit, para që burojnë kryesisht nga aktiviteti si konsulentë ligjorë, shitja e pasurive të paluajtshme, interesat bankare, qiratë, punësimi etj.
Shqiptarja.com zbardh deklaratën e pasurisë së familjes Berisha për vitin 2016, ku bie në sy intensiteti i transaksioneve bankare dhe shumave të mëdha. Si asnjëherë më parë, Shkëlzen Berisha, vetëm për vitin 2016, deklaron rreth 700 mijë euro të ardhura. Në deklaratën e pasurisë dorëzuar pranë ILDKP, djali i ish-kryeministrit deklaron 600 mijë euro të ardhura të krijuara nga shitja e pasurive të paluajtshme.
Në deklaratën e pasurisë nuk specifikohet se çfarë pasurish ka shitur dhe kujt ia ka shitur. Po ashtu, Shkëlzen Berisha deklaron 3 000 000 lekë të ardhura nga aktiviteti si konsulent ligjor dhe 47 mijë euro të ardhura nga qiratë.