Policia e Shtetit publikon të tjera pamje të autorit të dyshuar të vrasjes së ish- drejtuesit të lartë të Policisë Artan Cuku, duke kërkuar ndihmë për identifikimin e tij. Video i përket dy kamerave të sigurisë së një biznesi në pallatin ku banonte Cuku dhe është marrë në dy kënde të ndryshme. Ora shënon 18:53 minuta, rreth një orë e 27 minuta afërsisht përpara atentatit.
Nga pamjet duket tek sa personi i veshur me tuta të zeza, atlete sportive, dhe një bluzë me zinxhir me ngjyrë blu të errët vjen nga rruga kryesore. Duart i mban në xhepa, ku dyshohet se aty mund të ketë fshehur armën, ngjit një palë shkallë të tjera, nëpërmjet të cilave ai del në pjesën perëndimore të objektit, ku ndodhen disa dyqane të boshatisura ku dyshohet se ai ka qëndruar në pritje të Cukut. Teksa ngjit shkallët ai mban kokën ulur ndërsa një kapele e bardhë me strehë, i mbulon pamjen e fytyrës. Pasi kapërcen mbrojtëset e hekurta humbet nga rrezja e kamerave të sigurisë.
25 metra më tej ndodhet hyrja e pallatit ku banonte Artan Cuku. Policia po kërkon një person rreth 170 cm të gjatë me trup mesatar. Këto pamje publikohen një javë pasi policia nxori imazhe të autorit pas vrasjes së Cukut. Po ashtu policia ka vënë në dispozicion një shumë prej 10 milionë lekësh të reja, për çdo person që do të ndihmonte policinë me informacione të vlefshme për identifikimin e autorëve të vrasjes.
Tv Klan