Ndryshon struktura - Mësuesit e fillores nuk përfituan nga rritja e pagave

2017-07-05 1

Mësuesit e ciklit të ulët dhe atij parashkollor nuk kanë përfituar nga vendimi i qeverisë për rritjen e pagave duke filluar nga muaji mars.

Bashkë me vendimin për rritjen, qeveria ka ndryshuar pa propozimin e Ministrisë së Arsimit strukturën e pagave në arsimin parauniversitar, duke i nxjerrë të gjithë mësuesit me arsim 3-vjeçar nga grupi i parë.

Për rrjedhojë, ata nuk do të përfitojnë më pagën bazë të këtij grupi, që është 14 mijë lekë, por atë të grupit të dytë, 11 mijë lekë.

Drejtuesi i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Novrus Kaptelli, thotë se vendimi ka prekur të gjithë mësuesit e instituteve 3-vjeçare dhe ata që kanë përfunduar studimet bachelor.

Novrus Kaptelli: ?Të gjithë mësuesit me institutet 3- vjeçare të cilët kanë mbaruar një shkollë me cikël të mbyllur kanë kaluar nga grupi i parë i pagave me 14 mijë lekë të reja, në grupin e dytë, 11 mijë lekë. Nga kjo kanë pësuar ulje në pagë, jo rritje gati gjysma e mësuesve që janë sot në sistem.

Kaptelli thotë se vendimi është antiligjor dhe duhet rishikuar. Ai bën të ditur se për këtë çështje është diskutuar me Ministrinë e Arsimit, e cila ka premtuar se mësuesit do ta përfitojnë rritjen në pagën e muajit pasardhës.

Novrus Kaptelli: ?Na është premtuar se kjo gjë do të rregullohet menjëherë dhe të gjithë mësuesit që kanë marrë pagën e muajit mars me ulje, do ta marrin këtë të shtuar në pagën e muajit prill pas rregullimit që do i bëhet vendimit të Këshillit të Ministrave në fjalë?

Nga struktura e re e pagave në arsimin parauniversitar është hequr grupi i mësuesve pa arsimin përkatës, që jepnin mësim në disa zona të thella të vendit. Në të gjithë vendin numërohen 36 mijë arsimtarë.
Per me shume lexoni ne:
http://www.channel-one.al/ndryshon-struktura-mesuesit-e-fillores-nuk-perfituan-nga-rritja-e-pagave/