http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Tonelatat e drogës që kanë kaluar nga Porti i Durrësit e janë zbuluar në vendin fqinj, Itali, çuan në pranga 18 policë e doganierë. Arrestimet u kryen me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila hetoi në një kohë të shpejtë rrjetin e personave të implikuar në trafik. Në Durrës u arrestuan 10 punonjës policie, mes tyre edhe shefi i stacionit policor. Edhe 8 doganierë të Qafë-Thanës, Durrësit e Tiranës u kapën gjatë operacionit.Prokuroria ka prova që ngrenë dyshime të forta se gjithë ky rrjet ka lejuar kalimin e dy ngarkesave të ndryshme, me peshë totale 10 ton kanabis sativa nga Shqipëria në Itali. Rasti i parë është regjistruar në datën 5 shkurt të këtij viti, kur në Itali u zbulua një kamion me 8 ton hashash, i cili kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë. Ai kishte dalë nga territori ynë përmes portit te Durrësit. Pak kohë më vonë, në 24mars, në Itali u kap një tjetër kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 ton kanabis. Edhe ai ishte nisur nga Durrësi. Hetimet zbuluan se këta punonjës bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të kaluar sasitë e mëdha të drogës drejt vendit fqinj. Me kërkesën e Prokurorisë, Gjykata ka caktuar masën arrest me burg për 18 të arrestuarit. Të premten e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ishte në Durrës nga ku tha se porti i këtij qyteti, më i madhi në vend, ishte kthyer një rrugë kalimi për trafikun e drogës drejt Italisë si dhe vende të tjera të Europës.