Report TV - Durrës, vrasja për qiranë, Gjykata lë në burg dy vëllezrit Ekonomi

2017-07-05 15

DURRES-Gjykata e Durrësit ka dhënë ditën e sotme vendimin për dy vëllezërit Kujtim dhe Kostandin Ekonomi, të cilët akuzohen për vrasjen e 60-vjeçarit Agim Arapi.

Vendimi u dha nga gjyqtarja Eda Kaja e cila e konsideroi të ligjshëm arrestimin e tyre.

Sipas policisë krimi ka ndodhur gjatë një konflikti mes tre personave, dy vëllezërve Ekonomi si dhe dhëndrit të tyre, Jurgen Kurti 24 vjeç me Agim Arapi.

Ky i fundit i ka kërkuar lekët e qirasë Kurtit, rreth 130 mijë lekë të vjetra, për kalimin e tubit të aspirimit të picerisë në pronësi të 24-vjeçari, përmes dyqanit të viktimës.

Në debat e sipër, 60-vjeçari dyshohet se është goditur me grushte nga dy vëllezërit Ekonomi, ndërsa zhvishet nga përgjegjësia Jurgen Kurti, i cili një vit më parë u hetua për vrasjen e babait të tij.

Policia sqaron se në momentin e konfliktit, Jurgen Kurti ka qenë jashtë dyqanit, ndërsa në sherr janë përfshirë dy vëllezërit Ekonomi me 60-vjeçarin Agim Arapi.

Po sipas policisë, nga ekspertiza mjeko- ligjore u vërtetua se shtetasi Agim Arapi ka ndërruar jetë për shkak të problemeve që ka pasur me zemrën, ku nuk ka përballuar dot goditjet me grushta, të kryera nga autorët.