Report TV - Pashkët, Policia 'blindon' kishat kufirin, masa antiterrorizëm

2017-07-05 0

Frika nga sulmet terroriste dhe thirrjet për destabilitet detyrojnë Policinë e Shtetit të rrisë masat e sigurisë në kisha dhe institucione të rëndësisë së vecantë gjatë ditëve të pashkëve. Masa shtesë dhe në akset rrugore e pikat e kalimit kufitar.

Si rrallëherë, në kuadër të festës së Pashkëve, Policia e Shtetit njoftoi sot se ka marrë masa shtesë për rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve.

Përmes një njoftimi për mediat, Policia bën me dije se është hartuar një plan masash i veçantë në bazë të së cilit do të shtohen prezenca policore në akset nacionale dhe akset kryesore rurale, në objektet fetare si dhe në ambientet ku do zhvillohet festa e pashkëve.

Shtimi i masave të sigurisë është bërë dhe për të parandaluar ngjarjet me karakter terrorist.

Masa janë marrë edhe nga Policia Kufitare në burime njerëzore dhe infrastrukturore.

Në këtë kuadër në porte, aeroport dhe në pikat e kalimit kufitar, janë shtuar sportelet me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore për të gjithë shtetasit vendas e të huaj që do të hyjnë apo dalin nëpërmjet pikave të kalimit porteve dhe aeroportit duke shmangur vonesat dhe radhët e gjata.