Liqeni i Kukësit mund të kthehet në një atraksion turistik. Megjithëse ka një sipërfaqe të konsiderueshme, një mundësi e tillë deri tani nuk i është dhënë banorëve të qarkut të Kukësit.
Sipërfaqja e liqenit të Kukësit është rreth 81 km katror çka e bën një liqen mjaft të madh për mundësin e zhvillimit të peshkimit sportiv.
Ky sport mund të kthehet edhe në një traditë të përvitshme, por një gjë të tillë as pushteti qendror dhe as ai vendor nuk e kanë parë të arsyeshëm.
Ndërsa shkak që mund të dëmtoj turizmin liqenor në Kukës mund të jenë mbeturinat e shumta të cilat ndodhen brigjet e liqenit, ndërkohë që deri tani nuk është marrë ndonjë nismë për pastrimin e brigjeve liqenore.
Megjithëse turistët nuk janë të pakët që vizitojnë liqenin, por ajo çfarë u bën përshtypje është papastërtia e tij.
Dy peshkatarë sportiv nga Kosova, të cilët për herë të parë e kanë parë nga afër liqenin, thonë se peisazhi i këtij liqeni është fantastik, por të trishton fakti se brigjet dhe ujërat janë të ndotura nga mbetje të ndryshme.