Në ditën e 52-të të protestës në Bulevard, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se opozita është e gatshme për dialog.
Duke iu drejtuar shefit të mazhorancës, Edi Rama, Basha tha se PD ka gati ekipin e negociatorëve. Sipas tij, nga dialogu duhet të vijë zgjidhja dhe jo monolog fasadë.
"Negociatorët e PD janë gati të përgatisin dialogun, dialogun për zgjidhje, jo monologje fasadë sa për të kaluar radhën dhe për t'iu kthyer lojës së vjetër se kush e ka fajin. Kjo duhet dhe do të marrë fund", u shpreh Basha.
Kreu i PD iu rikthye edhe njëherë kërkesës për qeveri teknike.
"Zgjedhjet e lira, janë ilaçi për politikën e korruptuar. Vetëm qeveria teknike garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Fitorja me çdo kusht e kësaj beteje është një imperativ, nga i cili ne nuk do të tërhiqemi, derisa ta realizojmë", tha Basha.