Lejet e ndërtimit për objekte të reja apo shtesa deri 250 m2 do të paraqiten në rrugë elektronike te Bashkitë përkatëse, të cilat kanë 45 ditë afat për miratimin apo refuzimin e tyre.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka bërë publik dokumentacionin që nevojitet për këto lloj lejesh.
Dosja e aplikimit duhet të përmbajë të dhënat mbi pronësinë, planvendosjen në hartë si dhe preventivin e punimeve.
Dokumentacioni duhet të përfshijë edhe deklaratën e projektuesit të licencuar, nëpërmjet së cilës konfirmohet përputhshmëria e projektit me lejen e zhvillimit, dokumentet e planifikimit e kontrollit të zhvillimit, në fuqi, dhe me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e ndërtimit në Republikën e Shqipërisë, përfshirë dispozitat antisizmike, të sigurisë, mbrojtjes nga zjarri dhe higjieno-sanitare.
Nuk janë të detyrueshme projektet e instalimeve, si dhe mbikëqyrja dhe kolaudimi i punimeve, me kushtin që zbatuesi të dorëzojë një deklaratë noteriale, me të cilën të konfirmojë, nën përgjegjësinë e tij të plotë civile dhe penale, se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe projektin përkatës.
Lejet me procedurë të përshpejtuar miratohen brenda 10 ditëve, ndërsa ato me procedurë normale brenda 45 ditëve.