Report TV - Zbardhet borxhi i vërtetë i ARMO 200 milionë dollarë te tatimet

2017-07-05 0

Pasi është mbajtur e fshehtë për vite, është zbardhur më në fund borxhi që shoqëria e përpunimit të naftës ARMO ka ndaj tatimeve.

Shifra nuk është publikuar as nga institucionet shtetërore e as nga vetë kompania, por nga një shoqëri përmbarimore e cila ka nxjerrë në shitje pronat e ARMO-s për llogari të tre kreditorëve.

Sipas dokumenteve të kompanisë përmbarimore, detyrimet e papaguara tatimore të ARMO-s janë 200 milionë dollarë dhe jo 50 milionë dollarë, siç është raportuar gjatë këtyre viteve. ?Për Drejtorinë Rajonale të Tatimpaguesve rezulton detyrim i pashlyer në vlerën 21,723,595,114 lekë?, thekson kompania përmbarimore.

Shoqëria përmabrimore raporton gjithashtu edhe një shifër më të madhe borxhi të ARMO-s ndaj Albpetrol, e cila nuk është 30 milionë dollarë, siç raportojnë institucionet shtetërore, por 5.1 miliardë lekë, afërisht 50 milionë dollarë. Deri tani, borxhi i ARMO-s, vlerësohej në rreth 250 milionë dollarë, 200 milionë ndaj bankave dhe 50 milionë ndaj tatimeve.

Me detyrimet e reja ndaj tatimeve e Albpetrol, ky borxh i afrohet shifrës 500 milionë dollarë.