Edi Rama dhe Ilir Meta kanë biseduar sërish gjatë paradites së kësaj të mërkure për situatën politike. Por biseda kësaj here, ndryshe nga darka e të dielës mbrëma, ishte kokë më kokë.
Si çdo të mërkurë, Kryeministri i është drejtuar zyrës së Kryetarit të Kuvendit rreth orës 08:30 minuta. Siç ka ndodhur zakonisht, gjithçka ka qenë hermetike dhe stafet e bashkëkryetarëve të koalicionit qeverisës nuk kanë dhënë detaje.
Por burime nga mazhoranca bëjnë me dije për Televizionin Klan se, Rama dhe Meta kanë mbajtur të njëjtat qëndrime të shfaqura dy ditët e fundit.
Kryetari i Kuvendit mësohet se ka insistuar në nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje për të bindur opozitën që të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit. Ndërsa ashtu si në deklaratën e tij publike të së hënës, ka lënë të hapur çdo mundësi për të vazhduar koalicionin me Partine Socialiste.
Kryeministri është shprehur i gatshëm për të dialoguar me opozitën, t?i ofrojë asaj të gjitha garancitë e mundshme se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme dhe t?i plotësojë ato kërkesa që nuk shkelin Kushtetutën, ligjet apo standardet e demokracisë.
Ashtu si në qëndrimin publik të së martës, ai ka insistuar në mbajtjen e zgjedhjeve më 18 Qershor, siç përcakton Kushtetuta dhe ka bërë të qartë se do të qëndrojë në drejtimin e qeverisë së zgjedhur me votë, deri në përfundim të mandatit të saj Kushtetues.
Pas takimit me Kryeparlamentarin dhe mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Rama ka pritur në zyren e tij drejtues të Partisë Socialiste.
Në Kryeministri u panë të hyjnë njëri pas tjetrit, Kryetari i Grupit, Gramoz Ruçi, Kryetari i Partisë Socialiste së Tiranës, Saimir Tahiri dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj. Mësohet se zhvillimet e fundit kanë qenë në fokus të takimit.
Pasi përcolli ?të tijët?, zyrës së Kryeministrit iu drejtua Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili. Takim që u bë edhe shkak për ndryshimin e axhendës së Kryeministrit, i cili kishte paralajmëruar një vizitë në Shtëpinë e të Moshuarve, rreth orës 13:30.
Ministri Vasili ishte pjesëmarrës në darkën e së dielës, ku është diskutuar për fatin e koalicionit dhe për situatën politike, por nuk është e qartë nëse takimi i sotëm ka patur në fokus të njëjtat çështje.
Tv Klan