Droga në Mat, Gjykata lë në arrest me burg 33-vjeçarin

2017-07-04 15

Andreja Gjinaj i arrestuar të dielën e kaluar për 2 tonet e drogës e kanabisit të gjetur në një tunel ushtrie dhe një kontenier në fshatin Rethë Baz të Matit është lënë në burg. Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për 33-vjeçarin, i cili ka dhënë një tjetër version për drogën e gjetur në tokën të cilën ai e kishte marrë me qira. Sipas tij kanabisin dhe armën i kishte gjetur buzë lumit dhe më pas i kishte futur një pjesë në tunel dhe pjesën tjetër në një kontenier.
Pavarësisht dëshmisë së Gjinajt se ai e ka marrë sasinë e drogës buzë lumit dhe se ai ishte posedues i vetëm, Prokuroria e akuzon për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.
Policia ka shpallur në kërkim një tjetër person por pa bërë të ditur identitetin e tij për shkak të hetimit. Pjesë e grupit dyshohet se janë edhe të tjerë persona pasi sasia e drogës po përgatitej të trafikohej jashtë vendit.
Shërbimi i çështjeve të brendshme dhe ankesave po kryen verifikime edhe për punonjësit e policisë lokale për të pare nëse kanë përgjegjësi penale për këtë rast.

Tv Klan

Free Traffic Exchange